Një grup ekspertësh të teknologjisë së informacionit kanë sfiduar partitë politike të përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës duke afruar në garë një kandidat digjital.
Denisa Kele, Tomi Kallanxhi dhe Besmir Semanaj njoftuan në të martën se kanë shpallur kandidaturën e parë me Inteligjencë Artificiale në zgjedhjet vendore, të quajtur TirANA (Tirana Algorithmic Neural Assistant).
Nisma i referohet precedentit të krijuar nga Kryeministri Edi Rama kur emëroi si anëtare të kabinetit të tij ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, një algoritëm që deri dje u jepte shërbime online qytetarëve në portalin e-albania.
“Pas këtij projekti qëndron një ekip i gjerë ekspertësh nga fusha të ndryshme , teknologji, urbanistikë, mjedis, transport, ekonomi, drejtësi dhe shërbime publike, të cilët besojnë se qyteti i Tiranës ka nevojë për një qasje të re, të bazuar mbi transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie”- shkruajnë ekspertët e AI-së në postimin e tyre në facebook.
Por nisma nuk duket se është vetëm një tentativë për të ironizuar apo bërë paralelizëm me ministren virtuale të Ramës.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm të bëjmë një paralelizëm me Diellën, edhe pse krahasimi lind vetvetiu. Ne po testojmë kufijtë ligjorë për të parë nëse ekziston mundësia që një entitet i tillë të regjistrohet në KQZ”- i tha BIRN-it, Semanaj, njëri prej autorëve të algoritmit.