Sipas astrologëve më në zë të momentit, 2025-a është një vit ku të gjitha shenjat e zodiakut do të përfshihen në ndryshime të rëndësishme personale. Ka shumë planetë që ndryshojnë shenjë këtë viti dhe bashkë me to ndryshojnë edhe skenarët e jetës të gjithësecilit.
Saturni dhe Neptuni, protagonistët e 2025
Protagonistët e panoramës qiellore në 2025 do të jenë Saturni dhe Neptuni, të cilët do të formojnë një panoramë lidhëse midis Peshqve dhe Dashit.
I pari që ndryshon shenjën është Neptuni, i cili, pasi ka kaluar shenjën e Peshqve për më shumë se 14 vjet, hyn tek Dashi më 30 Mars, ku do të qëndrojë deri më 21 tetor 2025. Neptuni do të futet përfundimisht tek Dashi në fund të janarit 2026 dhe ky është një ndryshim epokal, që do të na shohë të gjithëve në qendër të transformimeve të jashtëzakonshme, si në nivel social, ashtu edhe kolektiv.
Saturni do të kalojë në Dashi më 25 maj dhe më pas do të rihyjë te Peshqit më 1 Shtator. Ai do të kthehet përfundimisht te Dashi në shkurt 2026. Në këtë alternim të ndryshimeve të shenjave, të dyja planetët do të ecin gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në një marrëdhënie padyshim interesante, por edhe të ndërlikuar, duke qenë se energjitë në lojë ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra.
Saturni është planeti i formës, i kufijve, i strukturës, i botës materiale, ndërsa Neptuni, nga ana tjetër, simbolizon “joformën”, mungesën e kufijve, intuitës, ëndrrave, botës shpirtërore. Neptuni është çfarë nuk shihet në rrafshin real, e që perceptohet në një plan tjetër, nëpërmjet intuitës ose, thënë ndryshe, ajo që përkufizohet si shqisa e gjashtë.
Tranziti i Neptunit dhe Saturnit mund të përmblidhet në një frazë të vetme: bashkimi i shpirtit me materien. Dy planetët, në fakt, na ofrojnë mundësinë për të zgjeruar njohuritë tona shpirtërore dhe për ta sjellë atë në botën materiale, përmes një transformimi të besimeve tona më të thella, duke përfshirë idenë tonë për të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të gabuarën, të rremen dhe të vërtetën.
Fillimisht, do na duhet të braktisim disa besime të rreme për veten tonë, për të hapur një rrugë të re. Padyshim që ai i Neptunit të Saturnit është një tranzit me potencial të madh evolucionar, por që fsheh edhe gracka. Nëse është e vërtetë që Neptuni mund "t’i japë shpirt" Saturnit dhe ta drejtojë atë drejt qëllimeve më të gjera e më të ndriçuara (veçanërisht në një nivel kolektiv), nga ana tjetër, mungesa e kufijve që mundëson ai, mund të përkthehet në rënie të standardeve morale.
Shenjat kardinale (Dashi, Gaforrja, Peshorja, Bricjapi) të dekadës së parë, do të ndiejnë më shumë ndikimin e këtij tranziti dhe do ta gjejnë veten duke vënë në dyshim zgjedhjet e rëndësishme të jetës, përmes një procesi transformimi të thellë të identitetit të tyre.
Nyjet hënore
Në vitin 2025 do të përballemi edhe ndryshimin e shenjës së Nyjeve Hënore, të cilat do të lënë boshtin Dash-Peshore, për të kaluar aksin Peshq-Virgjëreshë. Një tranzit që do të na kërkojë të marrim në konsideratë diçka më të madhe se realiteti i zakonshëm dhe material.
Nga njëra anë, Nyja Jugore në Virgjëreshë do të na shtyjë të rivlerësojmë mënyrën tonë të komunikimit dhe proceset tona të të menduarit. Nga ana tjetër, Nyja e Veriut tek Peshqit, do të na kërkojë të hyjmë në kontakt me pjesën më shpirtërore të ekzistencës sonë, të mirëpresim dhembshurinë, intuitën, ndjeshmërinë, faljen në jetën tonë.
Disa ngjarje do të na detyrojnë të heqim barrierat, modelet, mbrojtjen mendore që janë bërë kufi, sepse nuk na lejojnë të jetojmë tërësinë e përvojës. Bota e ideve dhe e mendimeve është po aq e rëndësishme sa ajo e emocioneve dhe ndjenjave.
Jupiteri
Jupiteri, planeti i fatit dhe optimizmit, kalon në Gaforre më 6 qershor, shenjë që simbolizon shtëpinë, familjen, rrënjët, të shkuarën. Gjatë këtij cikli, ne do të ndjejmë nevojën për të investuar energjinë tonë në shtëpi, në familje, në sistemet tona mbështetëse. Kur Jupiteri është në Gaforre, cilësitë e ndjeshmërisë, ëmbëlsisë, sensualitetit dhe imagjinatës, priren të theksohen. Të lindurit në Dem, Virgjëreshë, Akrep dhe Peshk, në dekadën e dytë dhe të tretë, do të përfitojnë më shumë nga tranziti i Jupiterit.
Urani
Një tjetër protagonist i skenës është Urani, i cili kalon te Binjakët në korrik (deri më 9 nëntor) dhe që do të revolucionarizojë mënyrën tonë të komunikimit, transmetimit të informacionit, të folurit dhe të menduarit. Në këtë fazë do të jemi në gjendje të zbulojmë ose të përdorim forma të reja komunikimi përmes teknologjisë. Në udhëtimin e tij, Urani do të formojë një treshe me Plutonin, një aspekt i bukur, që do të na ndihmojë të bëjmë ndryshime novatore, pozitive dhe konstruktive në një fushë të caktuar të jetës sonë. Të prekurit nga kalimi i Uranit, do të jenë kryesisht shenjat e lëvizshme (Binjakët, Virgjëresha, Shigjetari, Peshqit) të dekadës së parë, të cilët do të gjenden në mes të transformimeve të papritura, disa shumë pozitive.
Plutoni
Plutoni, planeti i transformimeve të thella, vazhdon kalimin e tij në Ujor, shenjën e teknologjisë, ideve dhe inovacionit. Në vitet e ardhshme, informacioni, të mësuarit dhe komunikimi nëpërmjet teknologjisë, do të bëhen të aksesueshme në një mënyrë të re dhe strukturat shoqërore, modelet kulturore dhe vlerash me të cilat jemi mësuar, ndoshta do të pësojnë një transformim.
Planeti do të veprojë si një xham zmadhues që synon psikikën e shenjave fikse (Demi, Luani, Akrepi, Ujori), të cilët do të dëshmojnë një zbulim të ngadaltë të fuqisë së tyre personale, përmes një udhëtimi brenda tyre. Një udhëtim jo pa sfida, që do të nxisë reflektime të thella mbi ndikimin që e kaluara dhe familja kanë pasur në jetën e tyre.