KAS ka vendosur të rregjistrojë ditën e sotme në KQZ, PD-në e Alibeajt, duke konfirmuar kështu edhe një herë atë që u kuptua qartazi në rastin e Vilës, që kjo parti do të ishte përfaqësuesja zyrtare e PD-së në lokalet e 14 majit. Pas shpalljes së vendimit prej Komisionit të ankimimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së, ka reaguar edhe Alibeaj, duke thënë se ky ishte një vendim mëse logjik dhe i pritshëm.
“Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese.
Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës”, shkruan Alibeaj në statusin e tij në fejsbuk.
Sa më poshtë vendimi i plotë i KAS
𝐊𝐀𝐒 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐨𝐬 𝐭ë 𝐫𝐞𝐠𝐣𝐢𝐬𝐭𝐫𝐨𝐣ë 𝐬𝐮𝐛𝐣𝐞𝐤𝐭𝐢𝐧 𝐳𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐨𝐫 “𝐏𝐚𝐫𝐭𝐢𝐚 𝐃𝐞𝐦𝐨𝐤𝐫𝐚𝐭𝐢𝐤𝐞” 𝐦𝐞 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫 𝐧ë𝐧𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐧, 𝐳. 𝐄𝐧𝐤𝐞𝐥𝐞𝐣𝐝 𝐀𝐥𝐢𝐛𝐞𝐚𝐣, 𝐧ë 𝐜𝐢𝐥ë𝐬𝐢𝐧ë 𝐞 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐭 𝐭ë 𝐤𝐨𝐦𝐚𝐧𝐝𝐮ar të Partisë.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi dy kërkesat ankimore të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:
- Kërkesa ankimore nr. 32 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Shfuqizimi i vendimit nr. 172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike”,për regjistrimin si subject zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14.05.2023” dhe regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 05.03.2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 me nr. 1337, të paraqitur në emër të PD nga përfaqësuesi z. Indrit Sefa;
- Kërkesa ankimore nr. 33 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 172, datë 14.03.2023 dhe ndryshimin e vendimit duke vendosur regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
Në përfundim të shqyrtimit, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 33 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Ledio Nuraj dhe z. Franci Nuri.
KAS me shumicë votash vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr. 32 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Indrit Sefa dhe detyrimin e partisë “Partia Demokratike”, të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë vijon:
- Deklaratën sipas shkronjes “b” te pikës 2 te nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetarin z. Enkelejd Alibeaj, në cilèsinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
- “Deklaratën e angazhimit solemn” të nënshkruar nga nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
si edhe ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë.