Teksa bëj rrugën Tiranë – Vlorë si në vajtje dhe ardhje, më tërheqin vëmendjen karakteristikat e trafikut. I dendur i gjatë në dalje dhe në hyrje të Tiranës, i mjaftueshëm deri në Durrës, tërësisht i munguar me rrugë thuajse të shkreta deri në Vlorë, aq sa Jazzi që dëgjoj kur udhëtoj, më krijon trishtim.
Për një ekonomist, trafiku ka lidhje të drejtë me zhvillimin ekonomik dhe kostot e jetësës në një vend. Zonat me trafik të lartë, janë zonat më të zhvilluara ekonomikisht, por trafiku i lartë sinjalizon edhe kosto e larta të jetësës në këto zona.
Në 30 vitet e fundit, shqiptarët migrojnë drejt Tiranës për një punë, për një shkollë më të mirë për fëmijët, për një shërbim shëndëtësor më të mirë, apo edhe sepse perceptojnë një hendek më të ulët në barazinë gjinore, elemente këto që u mungojnë në qytetet e tyre.
Nëse analizon karakteristikat e migrimit të brendshëm në Shqipëri, vëren së pari se migrantët janë kryesisht të rinj – pothuajse 46 për qind e migrantëve ndërprefekturorë janë më të rinj se 30 vjeç . Së dyti, ka një ‘ikje të trurit’ nga qytetet e vogla, për t’u pozicionuar kryesisht në Tiranë e rrethinat e saj. Pra ata që migrojnë drejt Tiranës, janë kryesisht më të arsimuar se popullsia që lënë pas në qytetet e tyre të orgjinës . Së treti, ka “një feminizim” të migrimit të brendshëm, pasi më shumë se gjysma (54 për qind) e atyre që lënë qytetet e tyre, janë gra. Në Tiranë realizohet rreth 48% e PBB, dhe me gjithë përpjeket për të rigjallëruar qendrat e qyteteve, ato mbetën sërisht “fjetore”, të abandonaura nga të rinjtë, nga njerzit më të arsimuar, e nga gratë.
Është e vërtëtë që migrimi e paijsi Tiranën me më shumë fuqi punëtore, por struktura ekonomike e qytetit nuk ishte në gjendje ta përthithte plotësisht atë.
Ndërkohë që fluksi i vazhdueshëm i migrimit kërkon balancim dhe rrit presionin për infrastrukturë, shërbime publike transport, edukim, shëndetësi, qyteti, bëhet më i pa mundur për t’u menaxhuar, qoftë nga ana demografike, qoftë dhe nga ajo territoriale .Dhe në fakt, treguesit e standardeve të jetesës e kostot e jetesës, tregojnë se Tirana nuk gëzon më asnjë avantazh të dukshëm në këtë drejtim, gjë që ka bërë që njerzit të drejtojnë levizjet e tyre migruese drejt perëndimit.
Gabimi i rëndomtë që është bërë historikisht kur kemi hartuar politika zhvillimore, është trajtimi i ekonomisë si monolite. Zgjidhjet kanë qënë modele të imponuara nga lart poshtë, me pretendimin se zgjidhja apo modeli i dhënë do të funksinonte njësoj në të gjitha zonat. Ekonomia a e një vendi, sado i vogël të jetë ai, nuk është monolite, ajo është rrjet i ekonomive rajonale. Thënë këtë rruga drejt suksesit ekonomik kombëtar, nuk vjen nga zgjidhjet nga lart-poshtë, sepse nuk ka një zgjidhje të përshatshme ekonomike për çdo zonë apo rajon.
Cdo zonë ka nevojë të këtë specializimet e veta unike të industrisë, tregjet e punës e të banesave, si dhe kapacitetet dhe marrëdhëniet institucionale. Çdo zonë ka burimet e veta, ka karakteristika ekzistuese dhe potenciale unike ekonomike, të cilat nëse do të njihen, do të përdoren, e do të zhvillohen në mënyrë optimale, do të zvogëlonin poloarizimin ekonomik, duke i trasformuar Lushnjen, Fierin, Kavajën, në vende të denja për të jetuar, e rrjedhimisht edhe Tiranën më të lehtë për t’u menaxhuar.
Pikërisht kjo qasje zhvillimore i mungon jo vetëm Shqipërisë, por ç’është më e keqja i mungon vizionit të polikëbërjes nga të dyja krahët, u ka munguar tërësisht edhe narrativës së kandidatëve në çdo zgjedhje vendore, e i mungon debatit publik. Me sa duken bathët, edhe pas 14 Majit, do të duhen 55 minuta për të hyrë në Tiranë dhe rruga do të vazhdojë të jetë melankonike dhe e shkretë deri në Vlorë.
Më duhet urgjentisht të ndryshoj listën e këngëve që dëgjoj gjatë udhëtimit. Ndonjë sygjerim?