Grupi Ndërqeveritar i ekspertëve për Ndryshimet Klimaterike (IPCC), ka publikuar së fundmi një raport prej rreth 42 faqesh, ku thuhet qartë dhe pastër, se njerëzit janë përgjegjësit kryesorë për klimën ekstreme me të cilat po përballet globi këto kohë, si rreshjet e dendura që prunë përmbytjet e fundit në Evropë, apo temperaturat e stërlarta që po përvëlojnë thuajsë tërë globin,.
Ndikimi negativ i njerëzëve mbi klimën është një fakt tashmë, pohojnë shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara në këtë raport, ku theksohet se çlirimi i gazrave të djegshme, mund të shpjerë në një rritje të konsiderueshme të temperaturave brenda thuajse një dhjetëvjeçari, e po ashtu edhe në një rritje të nivelit të detit me dy metra në fund të këtij shekulli.
Sipas profesorit Ed Hawkins të Universitetit të Reading, në Mbretërinë e Bashkuar, njërit prej autorëve të raportit, shkencëtarët nuk kanë qenë kurrë më të sigurt mbi këtë gjë. “Është fakt tashmë, pohon ai, dhe është një e dhënë e padisukutueshme që qeniet njerëzore janë përgjegjës për nxjehjen e planetit“.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Metereologjosë, Petteri Taalas, thote se “në terma sportiv, mund të themi se atmosfera i është nënshtruar dopingut, ndaj edhe po i shohim më shpesh ekstremet klimaterike”
Autorët e raportit pohojnë se që prej 1970-s, temperaturat sipërfaqësore globale janë rritur më më shumë shpejtësi se në çdo periudhë tjetër 50 vjeçare 2000 vitet e fundit, ngrohje që “po ndikon shumë ndodhi metereologjike dhe klimaterike ekstreme në cdo cep të botës“.
Por, sipas ekspertëve, kjo situatë e ka një zgjidhje. Ndërprerja e çlirimit të gazrave të djegshme, mund të sjellë një stabilizimin të mosrritjes së temperaturave, gjë me të cilën po sipas tyre, njerëzimi duhet të merret menjëherë.