Me gjasa një histori tipike nga ato të adoleshencës, kur dy të rinj duhen dhe nuk kanë përse martohen, por detyrohen nga mikro-ambienti, do ketë qenë edhe pikënisja e marrëdhënies së Sabrinës me Eltonin, marrëdhënie e cila para një viti kishte përfunduar ligjërisht dhe mbrëmjen e djeshme, pruri vdekjen e 23 vjeçares Benga, e cila u godit për vdekje me një plumb në mushkëri prej ish bashkëshortit.
Në një intervistë për mediat e ëma e djalit Sabire Metaj shprehet çuditërisht se i biri me nusen duheshin dhe se nuk ia ka idenë se si ka ardhur i gjithë ky konflikt e mandej vrasja.
“E mora vesh, nuk jam në gjendje të mirë. Më ka bërë hatanë. Me ne rrinte, nuk kuptohej fare që do ta bënte. Policia erdhi dhe kontrolloi. Kishte nja dy muaj që kishte dalë nga burgu, mbaroi dënimin. Sa qe në burg, nuk e kam takuar vajzën e vogël. Ata duheshin dhe duheshin me kokë, nuk e prisja të ndodhte kjo. Më vjen shumë keq sepse e rrita vetë, si për atë si për tim bir, se mua më ka ikur dhe im bir me të. Kanë të drejtë dhe për hakmarrje. Përzihem me familjen e vajzës dhe unë. Është njësoj dhimbja si ata, se e mora 13 vjeç vajzën. Flisnin dhe në telefon. Pas daljes nga burgu ishin takuar, i nxori çupën ajo. Dhimbja është e njëjtë si për ata, si për mua. Më vjen shumë keq. Nga policia e morëm vesh, erdhën në shtëpi. I mori vetë çuni në telefon, i tha jam në filan vend, do vetëvritem.
Ndërkaq, i vëllai i të ndjerës ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në prag të derës së shtëpisë, sapo e motra kishte ardhur nga puna.
Ngjarja ndodhi tek pragu i derës. Motra sa kishte ardhur nga puna dhe kishte vajtur për të ngrënë bukë. Mamaja kishte dëgjuar derën, e kishte vënë re që nuk e kishte hapur dora ime, thjesht kishte ardhur aty. Kishte ardhur aty, ‘dil përjashta’. Në 20 korrik kishte dalë nga burgu. Nuk e di, fajin e kanë e gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nxjerrin të tillë njerëz kriminelë dhe që sot bëri hatanë e madhe. Mua më tha nusja, ai më kishte kërkuar dhe mua për të më vrarë. Ai ishte një frikacak që të vriste nga pas. Trimi të del përballë. Jam i tronditur. Motra dhe mamaja ishin bashkë. Ai kishte thënë të dalë pak motra, ‘ik’ i kishte thënë ajo ‘mos e bëj më atë gjë se njëherë e bëre’ që ndodhi 10 muaj më parë, u arrestua ai për këtë. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa u kthye nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri, aq sa më thanë”
Nga informacionet e dala më tani, çifti Elton Bengaj Metaj dhe Sabrina Bengaj ishin ndarë prej thuajse një viti dhe deri më 14 tetor 2021-it, 23-vjeçarja qe e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Fierit.
Zgjidhjen e martesës dhe urdhri i mbrojtjes qenë dhënë prej gjyqtari Alfred Konomi, ndërkohë me vendim të gjyqtarit Piro Sota, më 1 mars 2021-it, Elton Metajt i qe caktuar si masë mjekësore ajo e ‘mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor’. Sota po ashtu kishte vendosur edhe pushimin e çështjes penale të 21.09.2020, për veprat penale ‘Dhunë në familje’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, ndërkohë që më 26 korrik 2021, po gjykatësi Sota, e kishte zëvendësuar masën mjekësore ndaj Metaj, nga ‘mjekim i detyruar në një institucion mjekësor’ në masën mjekësore ‘mjekim i detyruar ambulator’ nën kujdesin e babait të tij Bashkim Meta.